Mijëra këpucë të kuqe u vendosën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë në shenjë proteste kundër dhunës ndaj grave në familje dhe shoqëri.
Ky është 8 marsi i dytë që instalacioni “Këpucët e kuqe” zhvillohet në kryeqytetin e Shqipërisë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Kjo protestë e heshtur, e organizuar nga Ylberofilia dhe organizzata te tjera te shoqeris civile u shoqërua edhe me disa performanca me mesazhe kundër dhunës ndaj grave, mes tyre edhe një performancë e katër anëtarëve të grupit nga Kosova Haveit.
Shoqata të shumta të grave në Shqipëri organizuan edhe një marshim nga sheshi “Nënë Tereza” drejt ndërtesës së Kryeministrisë.
Ato mbanin në duar pankarta të shumta me mesazhe sikurse: “Gratë nuk janë të sigurta në Shqipëri”, “Marshojmë nuk festojmë, për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave”, “Muk është krim pasioni, është femicid”.
Protesta në ditën e gruas vjen pak ditë pas një ngjarje të rëndë në Tiranë. Më 1 mars, Dan Hutra, 40 vjeç, vrau tri gra dhe plagosi dy të tjera, ndërsa më herët ishte dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij të parë.
Një tjetër pankartë në protestë ishte edhe “Drejtësi për Xhoin”, vajza nga Kenia e cila humbi jetën pasi u dhunua dhe u hodh nga ballkoni i banesës së saj në Tiranë. Ajo jetonte në Tiranë dhe punonte në një kazino. Familja e saj dhe disa prej grave që punonin me të, kanë akuzuar një prej punonjësve të tjerë, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar.