Luftë femicidit!

   Në këtë vend, dy ditë më parë, u gjet trupi i pajetë i Luljeta Prezës. Gjithçka dimë rreth saj është që ajo kishte një jetë të mjerë, që u ndërpre dhunshëm nga dy burra, të cilët e shfrytëzuan deri në ditën e fundit. Katër ditë më parë u vra Luiza Feratin, e cila pavarësisht se zotëronte një urdhër mbrojtjeje, sërish mbeti viktimë e femicidit; ajo u vra nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces divorci.

 

           

Prej vitesh kemi ngritur zërin ndaj femicidin, këmbanë që bie thuajse çdo dhjetë ditë në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti është vrarë: Zengjine Sinani, Hasime Dafku, Mevlute Hysa, Etleva Kurti, Zenepe Uruçi, Migena Sinani, Anila Ruçi, Danjela Neza, Xhesika Malaj, Alma Qevani, Zeniat Muhollari, Arjana Gllafçe dhe Marjola Myrtollari.

Nuk mund të normalizohet femicidi, e as dhuna! Sot përsërisim njëzëri kërkesat e artikuluara për 8-mars, që fatalisht po bien gjithnjë e më shumë në vesh të shurdhët:

Ne kërkojmë prej strukturave shtetërore:
-Drejtësi për gratë e vrara – Rishikim të drejtësisë penale për viktimat e dhunës. T’i japim fund njëherë e mirë kulturës së mosndëshkimit të krimeve me bazë gjinore.

– Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare: Funksionim të shtetit të së drejtës dhe dënim maksimal për dhunuesit dhe vrasësit e grave.

-Kërkojmë forcimin e shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës: Më shumë strehimore shtetërore, linja telefonike falas për raportim, shërbime këshillimi dhe ligjore falas.

-Kërkojmë që shteti të promovojë barazinë gjinore dhe edukimin feminist në lëndë të posaçme të kurrikulave shkollore për të parandaluar dhunën dhe ndërgjegjësuar fëmijët, për të zhbërë stereotipet dhe dhunën gjinore.

Për të gjitha gratë e vrara: na mungoni jashtëzakonisht shumë! Nuk ka qetësi për ne, derisa të ketë drejtësi për çdo grua që sot nuk jeton më. Jeta e çdo gruaje ka vlerë absolute!