Si të ndërtojmë një platformë kundër femicidit?

Nën ftesën dhe vullnetin e përbashkët për të ndërtuar një reagim kundër fenomenit të femicidit-vrasjes së grave, jemi mbledhur në takimin e parë të muajit janar, në ambientet e shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare”, për t’u njohur me aktorët e ndryshëm të cilët punojnë dhe veprojnë për drejtësi dhe barazi gjinore, disktuimin dhe përballjen e ideve dhe mundësive për organizim të përbashkët dhe gjithpërfshirës kundër femicidit.

Emergjenca e fenomenit: humbja e jetës së dhjetra grave vit pas viti, prej dështimit total të shoqërisë dhe institucioneve na thërret në veprimtari më të gjëra, më të thella, më të shpejta dhe më masive në luftimin e femicidit dhe garantimin e jetës së pacënuar dhe të pacënueshme të secilës grua. Jemi te lumtur që thirjes për bashkim i janë përgjigjur me vullnet dhe gatishmëri studentë, qytetarë, aktivistë të kauzës gjinore dhe jo vetëm, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të medias, si dhe psikologë, sociologë, punonjës të së drejtës.

Bindja se femicidi i bëhet ballë vetëm bashkë, mbi dhe përtej interesave dhe ndasive mes aktorëve, si dhe besimi se vetëm vullneti i përbashkët mund të ndërtojë një lëvizje të gjerë shoqërore, me bazë qytetare dhe aktiviste kundër femicidit, do të na gjejë përsëri në ftesën e rradhës për takim dhe bashkëpunim në muajin shkurt, të cilin do ta ndajmë së shpejti.